Përgjigjet tona në pyetjet për njerëzit me epilepsi dhe familjarët e tyre mbi koronavirusin dhe sëmundjen Covid-19.
Thuhet përgjithësisht se njerëzit me sëmundje paraprake janë veçanërisht të rrezikuar. A nuk hyn këtu dhe epilepsia?
Sipas nivelit aktual të njohurive tona, nuk ekziston një rrezikim i shtuar i drejtpërdrejtë për një rrjedhë të rënduar të kësaj sëmundjeje vetëm për shkak të pranisë së një epilepsie. Ndryshon puna nëse i shtohen dhe sëmundje të tjera. Megjithatë duhet që të gjithë të mbrohen nga një infeksion dhe t’i ndjekin udhëzimet. Këto janë përkthyer tashmë në shumë gjuhë.
A mos e dëmtojnë sistemin imunitar medikamentet për epilepsi, dhe a mos na bëjnë kësisoj më të predispozuar?
Shumica e të prekurve nga epilepsia kanë një sistem imunitar normal, po qe se nuk janë dobësuar nga sëmundje apo nga trajtime të tjera. Barnat antiepileptikë medoemos duhen vazhduar të merren rregullisht. Vetëm pak metoda trajtimi mund të dobësojnë sistemin mbrojtës, për shembull ACTH, Steroidet dhe terapitë imunitare, ndërsa në një masë të papërfillshme edhe Phenytoin, Phenobarbital ose Primidon (Mysoline®).
A mos shtohen krizat pas një sëmurjeje nga Covid-19?
Zjarrmia mund të shkaktojë kriza epileptike. Përpos kësaj, shkaktarë të tjerë të mundshëm janë edhe stresi, ankthet ose gjumi i keq për shkak të situatës aktuale, pastaj të ushqyerit dhe pirja e parregullt ose marrja e parregullt e medikamenteve (p.sh. për shkak të vjelljes). Sipas informacioneve të gjertanishme nga vendet e goditura më shumë, rreziku për kriza plotësuese, për shkak të Covid-19, për shumicën e të prekurve nga epilepsia është shumë i ulët.
Ç’duhet bërë nëse krizat pas një infeksioni të tillë shtohen?
Në një rast të tillë thërrisni mjekun tuaj familjar si dhe neurologun që merret me trajtimin tuaj dhe ndiqni udhëzimet e tyre. Ndoshta është me vend që në këtë rast të keni si rezervë një medikament emergjent. Në rast se një krizë ngërçi epileptik zgjat më shumë se 3 minuta, dhe nuk e keni gati një medikament emergjent, ose ai nuk ndihmon dot: i godituri duhet mbrojtur nga lëndimet dhe duhet thirrur 144.
Vizita ime mjekësore është refuzuar. Çfarë mund të bëj?
Hë për hë institucionet shëndetësore duhet të heqin dorë nga ndërhyrjet dhe trajtimet që mund të shtyhen për më vonë. Përpos kësaj, sallat e pritjes paraqesin rrezik të shtuar infektimi. Nëse paraqitet një nevojë urgjente, duhet të jetë i mundshëm një këshillim telefonik. Përndryshe, vizita mund të rivendoset në një afat tjetër kohor.
A janë në dispozicion edhe më tej medikamentet për epilepsi?
Deri më tani nuk janë të njohura vështirësi në shpërndarjen e tyre. Për shkaqe sigurie, të gjitha medikamentet me detyrim përshkrimi mjekësor hë për hë janë të racionuara. Të sëmurët kronikë, siç janë edhe të prekurit nga epilepsia, mund të mbulojnë nevojat e tyre maksimalisht për dy muaj. Ne rekomandojmë një rezervë të vogël personale – kujdesuni me kohë përmes telefonit për një recetë të re mjekësore.
Autor: Stephan Rüegg; aktualizimi i fundit i kësaj faqeje: 29.10.2020.